Xhemi Shehu: Vitet e ‘vështira’ në kolegjin e vajzave

Na ishte njëherë e një kohe një kolegjiste… Me fund të shkurtër me kuadrate, këmishë të bardhë, kollare të mëndafshtë, çorape të bardha mbi gju, (eh sikur!), me flokë të zinj që i derdhen supeve, sy të kaltër e të butë, por buzëqeshje djallëzore dhe…Hej stop! Ç’ju thotë mendja?! Nuk është as Alicia Silverstone dhe as Liv Tyler në këngën “Crazy” të Aerosmith-ëve, të cilat mbajnë uniforma sensuale, braktisin shkollën, ngasin si të çmendura makinën në kërkim të aventurave pa fre. Por nuk duhet menduar as për ndonjë histori tjetër kolegjistesh, ekstremisht të ndryshme nga të parat: Të të dëshpëruarave, që fati i keq i ka degdisur brenda mureve të ftohtë të kolegjit tipik mesjetar, ku disiplina është e egër, ndërsa pedantizmi i mësuesve i pashoq. Të paktën kolegjistja jonë, Xhemi Shehu ka një histori ndryshe për të rrëfyer, ku thelbin e ndryshimit e përcakton stili i kolegjit ku ka studiuar.

Mund të kisha ndjekur një shkollë të mesme të përgjithshme. Por, sipas prindërve të mi, kolegji ishte zgjedhja më e mirë në atë kohë”, – nis të tregojë Xhemi, tashmë mami e një djali shumë të bukur, që shkollën e mesme e ka bërë në kolegjin e vajzave “Turgut Ozal”. Në Tiranën e pas ‘97-ës, siguria e fëmijëve në shkollë ishte shqetësimi më i madh i çdo prindi të kujdesshëm. Një kolegj vajzash, i vetmi që mundësonte transportin, përbënte një siguri më shumë për vajzën e vetme të familjes Shehu. Kështu nisi historia e Xhemit në një kolegj vetëm me vajza. Pa dëshirën e saj, me lot në sy, filloi dita e parë e shkollës, “ku uniforma ishte e shpifur, e shpifur, e shpifur…” do t’u ankohej Xhemi prindërve duke përplasur këmbët në shenjë proteste. “Qaja sepse nuk doja të shkoja në shkollë”, – kujton. Por dhimbja e sinqertë e një 15-vjeçareje si ajo, pati arsye të tjera veç “uniformës së shpifur”. “Më tmerronte ideja për të ndjekur një shkollë vetëm me vajza. Rrinim mbyllur nga ora 08:00 deri në 16:00. Mësuesit ishin shumë të rreptë. Uniforma na mbulonte nga këmbët te koka”, – vazhdon të tregojë vështirësitë e ditëve të para. Uniforma e kolegjit të vajzave “Turgut Ozal” përmblidhej në një fund me kuadrate të kuqe dhe të verdhë (sigurisht deri në fund të këmbëve), këmishë të verdhë, jelek blu …me viza të verdha dhe një triko blu, me jakë V dhe këpucë të zeza. “Kishte dhe rregulla që sot më duken qesharake. Veç uniformës, mësuesit na kontrollonin për thonjtë, që duhet t’i kishim të prerë, ndërsa makijazhi ishte një shkelje e rëndë, ndaj as që guxonim ta çonim ndër mend”, – numëron disa rregulla të shkruara. Të pashkruarat ishin edhe më të padurueshme, por për fat të keq zbatoheshin me të njëjtin pasion nga stafi pedagogjik. Kështu për shembull: Miqësia e ngushtë mes vajzave nuk shihej me sy të mirë nga mësuesit, “të cilët mendonin se një miqësi e tillë na shpërqendronte nga mësimet”, – vazhdon Xhemi. Për të shmangur “shpërqendrimet e mundshme” vajzat, sidomos ato që binin në sy si shoqe të ngushta, pasi mbaronte viti shkollor ndaheshin në klasa të ndryshme. Ndërsa ditët kalonin brenda mureve të shkollës, Xhemi mësoi ta shihte kolegjin në një dritë të re, “shumë më pozitivisht nga ç’e kisha menduar në fillim” dhe vazhdon të tregojë arsyet. “Fillimisht kuptova që uniforma, po të shfrytëzohej siç duhej, nuk ishte dhe aq keq. Kopjohej mirë me të”, tregon të fshehta që nuk do të kishte guxuar t’i tregonte nëse do të ishte ende në kolegj. “Nën funde mbanim materiale, kopje në fakt. Ndonjëherë, kopjet i shkruanim në trup, ndaj nuk rrezikonim të kapeshim nga profesorët. E kush nga mësuesit konservatorë do të guxonte t’i ngrinte fundin një kolegjisteje për të zbuluar nëse nën të kishte fshehur kopje?! “Askush, – thotë Xhemi, – ndaj ngopeshim duke kopjuar” ndërkohë që ndihet një ngazëllim i sinqertë në zërin e saj, teksa rrëfen histori që më vonë gjithmonë kujtohen si “gallatat e shkollës së mesme”. Por ja që edhe shkollës së mesme i erdhi fundi. Xhemi e mbylli këtë periudhë të jetës ashtu siç e nisi: Me lot në sy. “Por ishin lot dashurie dhe malli. Do të më merrte malli për këtë periudhë të lumtur, shoqet më të dashura, shkolla ku ruaj kujtimet më të bukura të jetës”. Pas pak kohësh, ish-kolegjistja doli në ekran si një prej velinave të para të emisionit ‘Fiks Fare’. Uniforma e velinave pati një ndryshim rrënjësor nga ajo e kolegjit. “Aq sa tim eti i ra tavani mbi kokë”, – rrëfen Xhemi zemërimin e madh të të atit, kur pa të bijën në ekran duke kërcyer me shumë pak rroba në trup. “Ishte një kod veshjeje dhe ai”. Xhemi diti t’i respektojë të dyja veshjet, në kohën dhe vendin e duhur dhe sot është padiskutim një nga fytyrat më të dashura të ekranit, jo vetëm për shkak të bukurisë dhe veshjeve të bukura, por gjithmonë e më shumë së fundmi (prej të paktën 5 vitesh) për fjalët e zgjedhura në prezantimin.
Si do ta perifrazonit periudhën e gjimnazit?
Vitet e gjimnazit i kujtoj shpeshherë e më shumë nostalgji madje. Kam pasur fatin të njihem me vajza vërtet shumë të mira e të zgjuara, e bashkë me to kam kaluar periudhën më të ‘shkujdesur’ e të bukur të jetës sime. Kuptohet që këtë periudhë e kujtoj edhe si momentin kur u forcuan bazat e formimit tim. Është mosha e dilemave të mëdha, ku jo pak herë e shihja veten në udhëkryq pa qenë fort e sigurt për hapin e radhës.
I ruani kontaktet me mikeshat e gjimnazit?
Është praktikisht e pamundur të ruash kontaktet me të gjitha, nga vetë rrjedha që të merr jeta, por jam shumë e lumtur që të paktën dy prej tyre, janë sot miket e mia më të mira.
Ndonjë kujtim i veçantë. Si i kishit marrëdhëniet me njëra-tjetrën. Fakti që ishit të gjitha vajza, shkaktonte ndopak xhelozi?
Janë të shumta gjërat për të cilat më shkon mendja, por në parantezë dua të them që klasa ime ka qënë më problematikja në shkollë. Bënim shumë zhurmë gjatë orëve të mësimit, e as vetë nuk e di ku i gjenim gjithë ato muhabete aq sa edhe më drejtorin në klasë, nuk arrinim ta qepnim gojën. Fakti që ishim të gjitha vajza na i bënte bisedat më të lehta me njëra-tjetrën, pastaj mund të flisnim për çdo gjë meqenëse edhe shumica e mësuesve ishin turq.

Xhelozi?

Absolutisht jo, përkundrazi duheshim shumë me njëra-tjetrën, megjithëse siç të tregova s’duhej ta shprehnim edhe shumë dashurinë.

Sa orë qëndronit në shkollë dhe a e respektonit gjithmonë uniformën e ‘shpifur’?
Në shkollë qëndroja nga ora 08:00 deri në 16:00 dhe uniformën e kisha me detyrim ta mbaja. Këmishën e vishja që në shtëpi, kurse fundin e mbaja poshtë bangës dhe e vishja gjithmonë vetëm në shkollë ngaqë nuk më pëlqente fare. Ishte i gjatë, i rëndë, me dizenjo që e urreja dhe di që atëherë e quaja parashutë.
Cila ishte lënda që donit më shumë, po ajo që urrenit?
Kam dashur shumë lëndët shoqërore dhe pasur inat lëndët shkencore sidomos gjeometrinë. Mbaj mënd që para provimeve mundohesha të mësoja teknika të reja për të kopjuar. Mënyrat t’i përmenda më lart, po ishalla Martini s’e lexon këtë shkrim kur të rritet (qesh).  Gazeta Shqiptare

Burimi: Gazeta Shqiptare

Lini një koment